

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, prezantoi strategjinë e tij gjithëpërfshirëse për mbështetje shëndetësore dhe sociale të pensionistëve, e cila synon një jetë dinjitoze dhe aktive për qytetarët e moshuar. Masat, siç theksoi Osmani, do të realizohen me buxhet të dedikuar, me partneritete konkrete dhe me përfshirjen e vetë pensionistëve në zbatimin e tyre.
Pjesët më të rëndësishme të kësaj strategjie janë dy projektet madhore shëndetësore, “Kujdes në shtëpi” dhe “Spitali lëvizës në lagje”, përmes të cilëve komuna, për herë të parë, do të zbatojë modelin e kujdesit shëndetësor që shkon te qytetari, e jo anasjelltas.
“Do të formojmë ekipe mobile të përbëra nga mjekë dhe infermierë që do të vizitojnë pensionistët në shtëpitë e tyre, veçanërisht ata që jetojnë vetëm. Ideja është që këta persona të mund të vizitohen nga ekipe mjekësh dhe fizioterapistësh deri në dy herë në javë,” shpjegoi Osmani.
Përmes projektit “Spitali lëvizës”, komuna do të organizojë një karvan mjekësh që do të kryejnë kontrolle shëndetësore falas në lagjet e Çairit, në periudha të caktuara.
“Për herë të parë në Çair, mjekët do të kryejnë kontrolle falas nëpër rrugë dhe lagje. Ky karvan do të jetë një sistem i qëndrueshëm i mbështetjes shëndetësore për çdo qytetar,” tha Osmani.
Përveç kujdesit shëndetësor, Osmani njoftoi edhe subvencione për qëndrimin në shtëpitë e të moshuarve, me ç’rast Çairi do të bëhet komuna e parë në vend që ofron këtë lloj ndihme financiare.

